Friday, July 5, 2013

se


Preson: Marrëveshja vetëm në letër nuk mjafton

5.07.2013
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdoj pasi është i domosdoshëm për ta bërë normalizimin e raporteve mes dy vendeve, ka vlerësuar përfaqësuesi i ambasadës britanike në Kosovë, Joe Preston.
Në një konferencë të organizuar nga Instituti për Zhvillimin e Politikave, KIPRED, Joe Preston tha se ata duan të rrisin fokusin e implementimit të marrëveshjeve të dialogut dhe qeveria e tyre ka qenë e qartë se marrëveshjet vetëm në letër nuk janë të mjaftueshme.
“Ne po kërkojmë implementim konkret të këtyre marrëveshjeve. Si shembull progres në shpërbërjen e strukturave paralele në veriun e Kosovës që janë fakt i vullnetit të Serbisë dhe Kosovës për t’i normalizuar marrëdhëniet dhe ecjes për në Bashkimin Evropian”, tha Preston.
Preston, po ashtu theksoi se Britania pret që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet para se kjo e fundit të hyjë në BE.
Në anën tjetër, Ilir Deda nga KIPRED ka thënë se njëra prej çështjeve më të rëndësishme që duhet t’i paraprijë normalizimit të marrëdhënieve është zbardhja e fatit të 1754 personave të pagjetur.
“Nuk mund të flasim për normalizim në Bruksel nëse ne plagët e hapura i kemi ende nga lufta, në fund të fundit procesin e normalizimit duhet ta pranoj edhe popullata. Me kaq shumë familje, këto plagë duhet të mbyllen”, tha Deda.
Ndërsa, duke folur rreth asociacionit të komunave serbe, Deda tha se kur të vjen çështja të përshtatja e kornizave ligjore, Kosova ende nuk e ka të qartë se çka do të ndryshoj Serbia që të përshtat kornizën e saj ligjore, sepse sipas tij, asociacioni i komunave serbe do të ketë dualitet ligjor. 

,


Molliqaj: Lama nuk foli në parti, por shkroi letra publike







Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka theksuar se deputetja Alma Lama, arsyet të cilat ajo i përmend në një letër publike, ka pasur mundësi t’i ngre në strukturat e Lëvizjes, siç janë Këshilli i Përgjithshëm dhe grupi parlamentar.
“Mirëpo, Lama jo që nuk i ka ngritur, por as nuk ka marrë pjesë në mbledhje. Çështjet për të cilat deputetja Lama shpreh shqetësimet dhe mospajtimet e saj, janë vendime të organeve të Lëvizjes Vetëvendosje të marra që në vitin 2011. Të njëjtat janë bërë publike në mediat kryesore, në muajin shtator të vitit 2011”, ka thënë Molliqaj, për Telegrafin.
Në letrën publike, deputetja Lama thekson se ndihet thellësisht e zhgënjyer nga qëndrimi më i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me fenë dhe raportin me identitetin kombëtar, duke u larguar kështu nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes.
“Flirtimi politik me rrymat radikale fetare, qoftë edhe për arsye pragmatike siç është vota, për mua është joparimor dhe për pasojë i papranueshëm. Jam e bindur se këto rryma, të cilat nëpërmjet indoktrinimit fetar të popullatës synojnë identifikimin me fenë dhe jo me kombin, na e rrezikojnë identitetin kombëtar, na çojnë në regres, në epokën e diskriminimit të grave, larg kulturës perëndimore”, ka shkruar Lama.
Në anën tjetër, Molliqaj ka deklaruar se angazhimi i secilit qytetar që pajtohet me Lëvizjen Vetëvendosje bëhet duke shprehur vullnetin vetanak në mënyrë të pavarur, sikurse që edhe largimi i secilit është i varur nga vullneti i tyre e mbi interesat personale